Institucioni > Aktivitete të Administratës Doganore >
Tiranë - Në kuadër të kryesimit shqiptar të Nënkomitetit të CEFTA për Doganat dhe Rregullat e Origjinës, në Tiranë nisi sot punimet workshop-i dyditor mbi Rregullat e Origjinës, i organizuar nga CEFTA, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve nga DG TAXUD i Komisionit Evropian, si dhe ekspertë të fushës.
Në fjalën e tij, Drejtori i Përgjithshëm i Doganave Shqiptare, z. Genti Gazheli, shprehu kënaqësinë për mikpritjen e këtij aktiviteti në Tiranë, duke theksuar rëndësinë e përbashkët të bashkëpunimit doganor dhe përafrimit me praktikat e BE-së.
Ai nënvizoi rezultatet e arritura gjatë kryesimit shqiptar të Nën-komitetit për Doganat dhe Rregullat e Origjinës, si krijimi i Trupit Këshillimor të CEFTA-s për Bashkëpunimin Doganor mbi Klasifikimin Tarifor dhe Rregullat e Origjinës, si dhe i Grupit të Punës për Operatorin Ekonomik të Autorizuar.
Z. Gazheli theksoi gjithashtu se përpjekjet e përbashkëta janë përqendruar në zbatimin e Strategjisë së Menaxhimit të Rreziqeve Doganore 2025-2028, të shoqëruar me Planin e Veprimit dhe Hartën e Zbatimit, si një nga prioritetet kryesore të programit të këtij viti.
Ai falënderoi ekspertët e DG TAXUD për mbështetjen e vazhdueshme dhe ndau detaje nga takimi i fundit në Bruksel me Drejtorin e Doganave të Komisionit Evropian, z. Matthias Petschke, mbi ecurinë e zbatimit të Kapitullit 29 “Bashkimi Doganor” në kuadër të procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në BE.
“Rregullat e origjinës mbeten një element kyç në përafrimin me tregun e përbashkët të BE-së. Forcimi i kapaciteteve administrative kërkon dialog dhe shkëmbim të vazhdueshëm dhe workshop-e si ky janë thelbësore për të ndarë praktikat, për të trajtuar sfidat dhe për të siguruar përfitime reale për operatorët tanë ekonomikë,” – u shpreh z. Gazheli.
Në fund, ai përgëzoi znj. Pranvera Kastrati për emërimin e saj si Drejtore e Sekretariatit të CEFTA-s, duke e cilësuar si një partnere të çmuar të Doganës Shqiptare dhe duke i uruar suksese në drejtimin e Sekretariatit të CEFTA-s.
Workshopi i sotëm zhvilloi sesione mbi temat kryesore të agjendës, duke përfshirë:
Kumulimin rajonal të origjinës dhe rastet praktike për produktet tekstile dhe bashkëpunimin CEFTA–Turqi;
Zbatimin e rregullave të reja transformuese dhe kufirin e tolerancës për materialet jo-origjinuese;
Rregullat territoriale, procedurat e transportit dhe sfidat e gjurmueshmërisë;
Workshop-i do të vijojnë edhe nesër me diskutime teknike mbi çështje të tjera të rëndësishme të fushës.