Institucioni > Aktivitete të Administratës Doganore >
Në kuadër të Projektit për Lehtësimin e Tregtisë dhe Transportit në Ballkanin Perëndimor, të financuar nga Banka Botërore, u zhvillua sot në Doganën e Tiranës prezantimi i versionit DEMO të sistemit të tranzitit të përbashkët me Bashkimin Evropian – NCTS, Faza 5.
Në këtë aktivitet morën pjesë përfaqësues nga disa dogana të rëndësishme kufitare, si dhe drejtues dhe specialistë të fushës. Në takim ishte i pranishëm edhe Drejtori i Përgjithshëm i Doganave, z. Genti Gazheli, i cili theksoi rëndësinë e këtij zhvillimi, duke u shprehur se: “Sistemi i ri i Kompjuterizuar i Tranzitit (NCTS) ofron procedura lehtësuese, moderne dhe të harmonizuara sipas standardeve të Bashkimit Evropian, duke sjellë përfitime të drejtpërdrejta për biznesin dhe për administratën doganore.”
Sistemi i Kompjutërizuar i Tranzitit (New Computerised Transit System – NCTS) është një platformë e integruar që përdoret për menaxhimin dhe kontrollin e transportit të mallrave nën regjimin e tranzitit, në nivelin e BE-së.
Ky sistem synon: të rrisë efikasitetin dhe shpejtësinë e procedurave doganore; të garantojë transparencë më të madhe në lëvizjen e mallrave; të përmirësojë sigurinë dhe mbrojtjen e kufijve.
Avantazhet kryesore të NCTS:
Efiçiencë dhe shpejtësi: redukton ndjeshëm kohën e përpunimit të procedurave doganore, duke përshpejtuar lëvizjen e mallrave në kufi.
Reduktim i rrezikut të mashtrimeve: përmes monitorimit elektronik dhe shkëmbimit të të dhënave në kohë reale midis autoriteteve.
Përmirësim i sigurisë dhe kontrollit: garanton ndjekjen e saktë të mallrave dhe parandalon kontrabandën apo mosdeklarimin.
Implementimi i NCTS Faza 5 përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt modernizimit të plotë të doganave shqiptare, ndërkohë që janë në proces procedurat me Bankën Botërore për kalimin në një version edhe më të avancuar – NCTS Faza 6. Për këtë fazë tashmë janë përgatitur dhe miratuar termat e referencës, duke i mundësuar Shqipërisë një hap tjetër të sigurt drejt doganave evropiane.