Institucioni > Aktivitete të Administratës Doganore >
Administrata Doganore e ka përmbyllur muajin korrik me rezultate pozitive, duke arkëtuar 23.2 miliardë lekë të ardhura, ose 9.1% më shumë krahasuar me të njëjtin muaj të vitit 2024. Ky rezultat është tregues i një ritmi në rritje të performancës doganore, si dhe i një bashkëpunimi gjithnjë e më efektiv me biznesin.
Veçanërisht, gjatë këtij muaji është shënuar një rritje e konsiderueshme e importeve të mallrave të akcizës, një kategori me ndikim të drejtpërdrejtë në të ardhurat doganore. Në korrik janë importuar:
▪️ 5,200 ton më shumë karburant
▪️ 58 ton më shumë cigare
▪️ 60 ton më shumë kafe
▪️ 200 ton më shumë birrë
krahasuar me muajin korrik të një viti më parë.
Ndërkohë, për periudhën janar–korrik 2025, të ardhurat totale kanë arritur në 137 miliardë lekë, duke tejkaluar planin dhe shënuar një rritje prej 4.3% në raport me të njëjtën periudhë të vitit 2024. Vlen të theksohet se kursi i pafavorshëm i këmbimit për euron dhe dollarin ka sjellë një efekt negativ prej 5 miliardë lekësh. Pa këtë ndikim, të ardhurat do të kapnin vlerën e 142 miliardë lekëve, çka përfaqëson një rritje edhe më të fortë: 8.2% më shumë se në vitin 2024 dhe 4% mbi planin vjetor.
Rritja në importet e mallrave të akcizës përgjatë 7 muajve të parë të vitit ka qenë veçanërisht e theksuar, duke kontribuar ndjeshëm në të ardhurat doganore:
▪️ +50,000 ton karburant
▪️ +154 ton cigare
▪️ +162 ton kafe
▪️ +4,700 ton birrë
Këto rezultate pasqyrojnë jo vetëm rritjen e kërkesës për mallra, por edhe përpjekjet e vazhdueshme të Administratës Doganore për të garantuar kontrolle më efikase dhe për të lehtësuar qarkullimin e mallrave. Gjithashtu, ato dëshmojnë një klimë më të besueshme për operatorët ekonomikë, e ndërtuar përmes profesionalizmit dhe transparencës.