Institucioni > Aktivitete të Administratës Doganore >
Drejtori i Përgjithshëm i Administratës Doganore Shqiptare, Z. Genti Gazheli u prit në një takim zyrtar në Athinë nga Drejtori i Përgjithshëm i Administratës Doganore Greke, Z. Dimitrios Bourikos. Gjatë takimit të nivelit të lartë bilateral, drejtuesit e Administratave Doganore të Republikës së Greqisë dhe Republikës së Shqipërisë theksuan frymën e bashkëpunimit të ndërsjellë dhe përkushtimit për të rritur marrëdhëniet doganore, promovimin e lehtësimit të tregtisë dhe adresimin e sfidave të përbashkëta të menaxhimit të kufijve.
Të dyja palët vlerësuan bashkëpunimin pozitiv në katër pikat doganore tokësore që lidhin dy vendet tona, teksa konfirmuan progresin e bërë sa i përket bashkëpunimit doganor dhe praktikave më të mira në kuadër të shkëmbimit të informacionit. Gjatë këtij takimi u ra dakord për të zhvilluar më tej iniciativat e koordinuara të menaxhimit të kufirit, si dhe për të rritur ndërgjegjësimin midis shërbimeve doganore.
Gjatë takimit palët pranuan nevojën për të përditësuar marrëveshjet e orarit të punës bazuar në flukset aktuale tregtare, ku u ra dakord për një zgjatje 2-orëshe të kohës së operacionit kufitar për kamionët bosh, veçanërisht në pikat kufitare të e Kakavijës dhe Kapshticës si dhe për një zgjatje me 1 orë të operacionit kufitar në pikën kufitare të Qafë Botës.
Të dy delegacionet riafirmuan angazhimin e tyre ndaj nismës së Korsive të Gjelbra të CEFTA-s. Greqia ndau përvojën e saj me Maqedoninë e Veriut në lidhje me zbatimin e SEED dhe shprehu gatishmërinë për të përsëritur modelin me Shqipërinë. Po ashtu u dakordësua nënshkrimi i një Memorandumi Mirëkuptimi për krijimin e një korsie të gjelbër në Pikën Kufitare Kakavijë, bazuar në integrimin e aplikacionit SEED.
Një pikë e rëndësishme e diskutimeve gjatë këtij takimi ishte zbatimi i teknologjive doganore digjitale, duke përfshirë sistemet Single Window dhe përpunimin pa letër. Pala greke prezantoi progresin në projektin TALOS, pjesë e Sistemit të Integruar të Kufijve Digjitalë të Doganave Helene dhe mirëpriti interesin shqiptar për bashkëpunimin teknologjik. Të dyja administratat shprehën interes për të përafruar strategjitë digjitale për të rritur ndërveprueshmërinë dhe efikasitetin. Po ashtu, u theksua rëndësia e bashkëpunimit rajonal në avancimin e modernizimit dhe sigurisë doganore.
Në përfundim të takimit Drejtori i Përgjithshëm i Administratës Doganore Shqiptare, Z. Genti Gazheli dhe Drejtori i Përgjithshëm i Administratës Doganore Greke, Z. Dimitrios Bourikos shprehën vlerësimin e tyre për dialogun konstruktiv dhe të orientuar drejt rezultateve. Ata riafirmuan angazhimin e tyre për thellimin e bashkëpunimit dypalësh doganor në mbështetje të lehtësimit të tregtisë, sigurisë dhe integrimit rajonal.