Institucioni > Aktivitete të Administratës Doganore >
Këshilli i Bashkimit Europian ka miratuar më 8 Maj qëndrimin e përbashkët të BE-së për çeljen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë mbi 8 kapituj të rinj të Grupimit të 3: Konkurrueshmëria dhe Rritja Gjithëpërfshirëse, duke shënuar një tjetër hap të rëndësishëm përpara në negociatat e Shqipërisë për anëtarësimin në Bashkimin Europian. Ky grupim përfaqëson rritjen gjithpërfshirëse për mirëqënie dhe përfshin tetë fusha, mes të cilave edhe Kapitullin 29, Bashkimi Doganor.
Në dokumentin e publikuar nga Komisioni Europian pas përfundimit të Konferencës së Katërt Ndërqeveritare midis Bashkimit Europian dhe Shqipërisë në Bruksel, për Kapitullin 29 - Bashkimi Doganor, nënvizohet se, BE-ja mirëpret përparimin e Shqipërisë në përafrimin me acquis e BE-së në fushën e legjislacionit doganor. BE-ja vëren me kënaqësi nivelin e lartë të përafrimit të Shqipërisë me acquis e BE-së, veçanërisht në lidhje me borxhin doganor dhe garancitë doganore, vlerësimin doganor, procedurat doganore për import dhe eksport, procedurat speciale përveç transitit, Operatorët Ekonomikë të Autorizuar, si dhe kontrollet e bagazheve të pasagjerëve ajrorë dhe detarë.
BE-ja nënvizon nevojën që Shqipëria të përafrojë më tej kuadrin e saj ligjor me acquis e BE-së, përfshirë aktet zbatuese të Kodit Doganor të Unionit dhe Konventën e Transitit të Përbashkët. Në veçanti, Shqipëria duhet të përafrojë legjislacionin e saj lidhur me statusin doganor të mallrave, transitin, menaxhimin e riskut doganor dhe aspektet e sigurisë, mallrat kulturore, kontrollin e parave dhe prekursorët e drogave. Tarifat e skanimit që aplikohen për kryerjen e kontrolleve doganore duhet të hiqen, pasi skanimi duhet të trajtohet si kontroll i zakonshëm doganor dhe jo si shërbim i ofruar nga autoritetet doganore.
BE-ja mirëpret kapacitetin adekuat administrativ dhe operacional të Shqipërisë për të përmbushur detyrat ekzistuese doganore. BE-ja e fton Shqipërinë të forcojë më tej ndërtimin e kapaciteteve dhe rekrutimin e stafit përpara anëtarësimit, në veçanti në fushën e Teknologjisë së Informacionit (IT). BE-ja nënvizon nevojën që Shqipëria të vazhdojë të zhvillojë dhe përmirësojë sistemet ekzistuese IT, në përputhje me Planin Shumëvjeçar Strategjik për Doganat Elektronike, për të siguruar përafrimin me sistemet doganore të BE-së dhe për të garantuar ndërveprueshmërinë. BE-ja kujton nevojën që Shqipëria të alokojë burime të mjaftueshme financiare për të gjitha projektet IT në vijim dhe ato të planifikuara.
BE-ja mirëpret ekzistencën e strukturave dhe masave kundër korrupsionit në Shqipëri për luftën kundër korrupsionit në fushën doganore. BE-ja mirëpret gjithashtu qëllimin e Shqipërisë për të forcuar luftën kundër mashtrimeve doganore, veçanërisht kundër kontrabandës së produkteve të duhanit. BE-ja vëren pozitivisht se standardet e integritetit profesional dhe kundër korrupsionit po zbatohen në mënyrë të qëndrueshme. BE-ja thekson nevojën që Shqipëria të ketë kapacitet të mjaftueshëm administrativ dhe performues, integritetin e Administratës Doganore, si dhe infrastrukturën e nevojshme në zyrat qendrore dhe lokale doganore për të zbatuar dhe përforcuar legjislacionin doganor dhe për të kontrolluar dhe mbikëqyrur në mënyrë efektive lëvizjet ndërkufitare. BE-ja vëren që Shqipëria po shqyrton aderimin në Protokollin e Konventës Kuadër të OBSH për Eliminimin e Tregtisë së Paligjshme të Produkteve të Duhanit.
Acquis i bashkimit doganor përbëhet nga një legjislacion i cili është drejtpërdrejtë i detyrueshëm për shtetet anëtare. Ai përfshin Kodin Doganor të BE-së dhe dispozitat e tij zbatuese, nomenklaturën e kombinuar, tarifën e përbashkët doganore dhe dispozitat për klasifikimin e tarifave, lehtësimin e taksës doganore, pezullimet e detyrimeve dhe kuotat e caktuara të tarifave, si dhe dispozita të tjera, si ato për kontrollin doganor të mallrave të falsifikuara, lëndët e para për prodhimin e drogave, eksportimin e mallrave kulturore, si dhe për ndihmën e ndërsjellë administrative në çështjet doganore dhe të tranzitit.