Institucioni > Aktivitete të Administratës Doganore >
Drejtoria e Përgjithshme e Doganave së bashku me Dhomën Amerikane të Tregtisë zhvilluan sot takimin Biznes-Dogana, traditë e përvitshme e një forumi të hapur diskutimesh që synon të zhvillojë dialogun mes biznesit dhe Administratës Doganore Shqiptare. Në këtë takim, ku të pranishëm ishin dhe Presidenti i Dhomës Amerikane të Tregtisë, Z. Gran Van Cleve, Drejtori Ekzekutiv i Dhomës, Z. Neritan Mullaj, si dhe Kryetarja e Komitetit të Taksave dhe Doganave, Znj. Alketa Uruçi, u diskutua mbi zhvillimet e fundit në Administratën Doganore, por edhe problematikat që bizneset anëtare të Dhomës Amerikane hasin në zhvillimin e përditshëm të aktivitetit të tyre. Drejtoria e Përgjithshme e Doganave prezantoi gjatë këtij takimi risitë në proceset digjitale që lehtësojnë dhe përshpejtojnë procedurat doganore, nga çdoganimi i mallrave të importit, deri në kontrollin e produkteve ushqimore, si dhe projekte të reja në ndihmë të biznesit.
Presidenti i Dhomës Amerikane z. Grant Van Cleve falenderoi Drejtorin e Doganave Z. Genti Gazheli për disponibilitetin që shfaq si institucion për t’iu përgjigjur interesit dhe pyetjeve të biznesit, duke dhënë shembuj të transparencës dhe përgjegjësisë publike. Ky raport pozitiv pune është reflektuar edhe në Indeksin e Biznesit dhe siç u shpreh Drejtori Ekzekutiv Z. Neritan Mullaj, “ky bashkëpunim ka sjellë rezultate dhe kjo është reflektuar edhe në vlerësimin pozitiv për disa vite rresht për doganat nga ana e anëtarëve në Indeksin e Biznesit”.
Drejtori i Përgjithshëm i Doganave Z. Genti Gazheli, në fjalën e tij, u shpreh se, Administrata Doganore, me kurajon profesionale dhe vizionin e një administrate eficente ofron sot risitë më të fundit në proceset digjitale që lehtësojnë dhe përshpejtojnë procedurat doganore, nga zhdoganimi i mallrave të importit, deri në kontrollin e produkteve ushqimore, si dhe projekte të reja në ndihmë të biznesit. “Ne si administratë doganore te biznesi “shohim veten në pasqyrë” dhe sondazhi me anëtarët e AmCham tregoi se marrëdhëniet me Doganat janë përmirësuar ndjeshëm dhe në mënyrë të qëndrueshme 4 vitet e fundit, por rezultatet e sondazhit dhe ideja për ta zhvilluar forumin e sotëm në formatin e prezantimeve, tashmë që kemi arritur në 100% digjitalizim të shërbimeve doganore, tregon një stad tjetër të marëdhënieve Dogana-Biznes që kemi arritur,” tha ndër të tjera Drejtori i Përgjithshëm i Doganave Z. Genti Gazheli.
Ai renditi 3 nga prioritetet e Administratës Doganore Shqiptare për vitin 2025, të cilat janë dhe objektiva të përbashkëta të Organizatës Botërore të Doganave. “Për vitin 2025 si Administratë Doganore jemi të fokusuar në tre pika kryesore: Eficensë, Siguri dhe Prosperitet për të përmirësuar të gjitha shërbimet doganore. Në mënyrë të veçantë, fokusi ynë ka qenë dhe mbetet te zhvillimet e Teknologjisë së Informacionit dhe në bashkëpunim me AKSHI-n dhe UNCTAD që ofron sistemin ASYCUDA Ëorld, kemi modernizuar dhe digitalizuar totalisht shërbimet doganore shqiptare. Risia e vitit 2025 do të jetë sërish drejt Inteligjencës Artificiale dhe operacionet data-driven për analizën e riskut, zbatimin e legjislacionit për të siguruar, jo vetëm të ardhurat në buxhet, por dhe kufijtë nga fenomenet e paligjshme, për të siguruar konkurrencën e ndershme dhe mbështetjen e zhvillimit të ekonomisë,” deklaroi më tej ai.
Takimi ishte një mundësi e mirë për Kryetaren e Komitetit të Taksave dhe Doganave Alketa Uruçi, pasi u ka dhënë mundësinë anëtarëve të Dhomës të diskutojnë drejtpërdrejtë me Drejtorin e Përgjithshëm të Doganave dhe stafin e tij teknik. Përfaqësuesit e biznesit nga ana e tyre shprehën vlerësim sa i përket cilësisë së shërbimeve të Administratës Doganore, sidomos në drejtim të proceseve të digjitalizimit, rritjes së ndërveprimit me institucionet e tjera, zvogëlimit të kohës së qëndrimit të mallrave në doganë, etj.. Drejtuesit e Dhomës Amerikane deklaruan se do vijojnë të nxisin bashkëpunimin me Administratës Doganore Shqiptare si dhe marrëdhënie që prodhojnë siguri dhe qartësi për biznesin.