Institucioni > Aktivitete të Administratës Doganore >
Nën ombrellën e Presidencës Hungareze të Këshillit të Bashkimit Evropian, Drejtuesit e Administratave Doganore nga Shtetet Anëtare të BE-së dhe Ballkani Perëndimor, si dhe përfaqësues të Komisionit Evropian (KE) dhe të organeve dhe organizatave rajonale u takuan në Budapest më 18 nëntor 2024 për Takimin e parë të Nivelit të Lartë të Drejtorëve të Përgjithshëm të Doganave (DG) të Ballkanit Perëndimor dhe Shteteve Anëtare të BE-së.
Pjesëmarrësit synonin ndërtimin e besimit, ndarjen e praktikave më të mira të bashkëpunimit rajonal, vlerësimin e përgatitjes së procesit të integrimit në BE të Ballkanit Perëndimor, vlerësimin e formimit të Tregut të Përbashkët Rajonal dhe vështrimi i gjendjes dhe pengesave të saj duke rritur gradualisht marrëdhëniet tregtare me Ballkanin Perëndimor.
Pjesëmarrësit theksuan nevojën për rritjen e bashkëpunimit i) rajonal dhe ii) BE-Ballkani Perëndimor në fushën e doganave, e cila është thelbësore për konvergjencën ekonomike, lëvizshmërinë, rritjen e marrëdhënieve tregtare dhe konkurrencën, duke sjellë rezultate të prekshme të integrimit në BE, të dobishme për të gjitha palët e interesuara.
Duke pranuar rezultatet e arritura në kuadër të bashkëpunimit rajonal në Ballkanin Perëndimor në fushën e lirisë së lëvizjes, vendosjen e Korsive të Gjelbërta dhe Blu dhe reduktimin e kohës së pritjes, është e domosdoshme të vazhdohet puna për ndërtimin e një Tregu të Përbashkët Rajonal funksional. Zhbllokimi i Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë të Evropës Qendrore (CEFTA) është një hap i madh drejt përmirësimit të marrëdhënieve tregtare në rajonin e Ballkanit Perëndimor me realizimin e Planit të Veprimit të Tregut të Përbashkët Rajonal 2025-2028.
Pjesëmarrësit vlerësojnë iniciativën për Korsitë e Gjelbërta dhe Blu si një mjet efikas që lidh BE-në dhe Ballkanin Perëndimor. Propozimi i mbështetur nga Komuniteti i Transportit, Sekretariati i CEFTA-s dhe Komisioni Evropian doli si një nga prioritetet e vendosura nga Drejtuesit, i cili lehtëson më tej tregtinë brenda rajonit të CEFTA-s/Ballkanit Perëndimor, si dhe me Bashkimin Evropian, duke sjellë përfitime të rëndësishme ekonomike.
Pjesëmarrësit theksuan rëndësinë e një bashkëpunimi të zgjeruar ndërmjet dhe midis Administratave Doganore fqinje. Ata mbështesin fuqimisht shtrirjen e nismës TCTCEFTA për Korsitë e Gjelbërta dhe Blu në të gjitha pikat kyçe të kalimit kufitar (PKK) ndërmjet Ballkanit Perëndimor dhe Shteteve Anëtare të BE-së, si dhe në përmirësimin e kushteve të infrastrukturës dhe operacioneve në ato PKK.
Pjesëmarrësit mirëpritën punën e Sekretariateve të Komunitetit të Transportit dhe CEFTA-s për zhvillimin e 11 fishave të PKK-ve, të cilat identifikojnë nevojat për investime në përmirësimin fizik, pajisje dhe ngritje kapacitetesh. Dokumentet/Fishat do të prezantojnë një plan të shëndoshë për investimet e ardhshme, për të cilat duhet të sigurohen financat nga BE dhe fondet kombëtare.
Pjesëmarrësit ranë dakord se shkëmbimi i informacionit në lidhje me reformën e vazhdueshme të Kodit Doganor brenda BE-së, për partnerët e Ballkanit Perëndimor, është një ndihmë e rëndësishme shtesë në përgatitjen për transpozimin e acquis.
Pjesëmarrësit theksuan nevojën për një dialog të strukturuar midis BE-së dhe partnerëve të Ballkanit Perëndimor në fushën e doganave, në kuadër të përpjekjeve të tyre të përbashkëta për Tregun e Përbashkët Rajonal, por gjithashtu dhe më e rëndësishmja për qëllimin përfundimtar të anëtarësimit të ardhshëm dhe pjesëmarrjes së plotë dhe të suksesshme në tregun e vetëm të BE-së. Takimet e tyre periodike në të ardhmen kanë potencialin i) për të patur një dialog të strukturuar ndërmjet BE-së dhe partnerëve të Ballkanit Perëndimor, si dhe ii) për të shkëmbyer praktikat më të mira dhe propozime praktike për zbatimin më të mirë të acquis doganore, duke krijuar një bazë solide për të ardhmen, rritja e tregut të vetëm.
Në përfundim të takimit, Dogana Shqiptare mori angazhimin për organizimin e takimit të radhës të këtij niveli, vitin e ardhshëm në Tiranë.