Institucioni > Aktivitete të Administratës Doganore >
Drejtues dhe ekspertë të doganave italiane, sllovene, kroate dhe malazeze u mblodhën në Durrës në kuadër të Projektit Adriacustoms, që synon bashkëpunimin mes administratave doganore të vendeve që lagen nga deti Adriatik.
Drejtori i Përgjithshëm i Doganave Genti Gazheli gjatë fjalës së mbajtur në takimin e zhvilluar në Portin e Durrësit u shpreh se shkëmbimi i eksperiencave më të mira mes administratave doganore janë çelësi për suksesin e përbashkët në luftën kundër kontrabandës, mallrave të falsifikuara dhe trafiqeve të paligjshme.
Ai vlerësoi veçanërisht bashkëpunimin me Administratën e Doganave dhe Monopoleve në Itali dhe Guardia di Finanza me të cilat Dogana Shqiptare ka nënshkruar këtë vit një marrëveshje trilaterale.
“Kam kënaqësinë t’Ju bëj prezent ecurinë e Marrëveshjes Trilaterale firmosur në Tiranë midis Administratës Doganore Shqiptare, Agjencisë së Doganave Italiane dhe për herë të parë edhe me Guardia di Finanza firmosur në Tiranë me 4 Prill 2024 ku suksesi është tashmë i dukshëm. Shpresoj që kjo frymë bashkëpunimi, ndërveprimi dhe përvetësimi eksperiencash më të mira të karakterizojë dhe aktivitetet që po organizohen në kuadër të projektit “Adriacustoms””, u shpreh Drejtori i Përgjithshëm i Doganave Genti Gazheli.
Projekti Adriacustoms, i financuar dhe mbështetur nga OLAF dhe Agjencia Italiane e Doganave dhe Monopoleve, përfshin shkëmbim eksperiencash mes administratave doganore në Portin e Durrësit në Shqipëri, Portin e Barit, Ankonës dhe Triestes në Itali dhe Portin e Bar në Mal të Zi.