Institucioni > Aktivitete të Administratës Doganore >
Forumi Biznes-Dogana vijoi në Shkodër, ku së bashku me bizneset që operojnë në këtë qytet u diskutua mbi lehtësimin e mëtejshëm të procedurave dhe vijimin e informatizimit të shërbimeve doganore. Takimi u vlerësua si mjaft i frytshëm teksa u evidentua se marrëdhëniet mes biznesit dhe doganave janë sot në ditët më të mira.
Drejtori i Përgjithshëm i Doganave Genti Gazheli tha se ka ndryshuar tërësisht qasja ndaj biznesit, ndërsa misioni kryesor i Doganave është të sigurojë procedura doganore transparente në funksion të realizimit të të ardhurave për buxhetin e shtetit.
“Në këto vite kemi ndryshuar tërësisht qasjen ndaj biznesit me filozofinë që doganat janë një institucion që i shërben biznesit dhe që ka mision kryesor për të siguruar procedura doganore transparente dhe të parashikueshme, në funksion të realizimit të të ardhurave për buxhetin e shtetit, por duke mbajtur ekuilibrin e duhur mes lehtësimit të procedurave dhe kontrolleve doganore,” u shpreh ai.
Zhvillimi sistemeve teknologjike është një proces i vazhdueshëm drejt përmirësimit, deklaroi më tej drejtori i Përgjithshëm i Doganave.
“Të dhënat nga sistemi tregojnë se kemi ulje sinjifikative të kohës së përpunimit të deklaratave në të gjitha kanalet e riskut ndërkohë që janë përmirësuar ndjeshëm vlerësimet me transaksion që për periudhën Janar-Gusht 2023 ishin 97%, shifra më e lartë e përdorimit të transaksionit,” vijoi Gazheli.
Ai ftoi bizneset të aplikojnë për Statusin e Operatorit Ekonomik të Autorizuar dhe Eksportues të Autorizuar, status i lëshuar për bizneset me besueshmëri të cilët mund të përfitojnë nga shumë thjeshtime doganore.
Bizneset nga ana e tyre vlerësuan përmirësimin e procedurave doganore dhe shtimin e aplikacioneve të reja që iu mundësojnë akses në kohë reale duke parë në mënyrë transparente çdo fazë të miratimit të aplikimeve, lehtësimeve, përjashtimeve nga taksat etj.