Institucioni > Aktivitete të Administratës Doganore >
Drejtori i Përgjithshëm të Doganave z. Genti Gazheli mori pjesë në takimin e projektit PEN-CP me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të 14 Administratave doganore evropiane të vendeve antare ose jo të Bashkimit Evropian.
Ky takim i organizuar nga Administrata Doganore Shqiptare, u financua nga BE në kuadër të Horizon 2020 me qëllimin krijimin e një Rrjeti të ri për nxitjen e inovacionit doganor dhe një platformë on-line, që ofron shërbime të vlefshme ndërmjetësuese të inovacionit.
Në fjalën e tij, kreu i Doganave Gazheli, u shpreh se Administrata Doganore Shqiptare e shikon këtë projekt si një mundësi drejt arritjes së objektivave tona për digjitalizimin dhe standartizimin e shërbimeve doganore në lidhje me sigurinë doganore, laboratorin doganor, menaxhimin e riskut etj.
"Jemi të angazhuar për të përfituar risitë dhe teknologjitë e reja në lidhje me sigurinë doganore nga doganat e vendeve antare të BE-së dhe projektin PEN-CP e shohim si një mundësi për të krijuar një rrjet praktikantësh doganorë, i cili lehtëson përkthimin e ideve dhe kërkesave kërkimore dhe inovative për sigurinë doganore në zgjidhje, teknologji dhe përmirësime praktike të procesit", theksoi Gazheli
Z. Gazheli informoi se Dogana digjitale ishte misioni i realizuar i vitit 2022, ku ofrojmë 100 % të shërbimeve online duke shtuar edhe 4 aplikacione të reja dhe shkurtuar ndjeshëm kostot dhe kohën për bizneset dhe qytetarët që kanë përfituar nga lehtësitë doganore.
Sa i përket bashkëpunimit dhe shkëmbimit të informacionit midis administratave doganore dhe agjensive të tjera ligjzbatuese, Gazheli konfirmoi se janë në nivelet më të larta falë punës dhe angazhimit të Administratës doganore për të qenë të hapur dhe bashkëpunues në zbatimin e ligjit.
"Objektivi ynë për vitin 2023 është avancimi drejt dixhitalizimit dhe novacionit duke u përfshirë në projekte të rëndësishme me mbështetjen e DG Taxud dhe FMN-së, si projekti “Single Window” apo projekti “One-Stop-Shop”, që do të ofrojnë shërbimet në vetëm një dritare për biznesin, sistemi i ri i tranzitit ndërkombëtar, sistemi i integruar i menaxhimit të tarifave, përmirësimi infrastrukturës së degëve doganore etj", tha Gazheli.