Institucioni > Aktivitete të Administratës Doganore >
Drejtori i Përgjithshëm i Doganave z. Genti Gazheli morri pjesë në konferencën e Shoqatës Rajonale të Operatorëve Ekonomik të Autorizuar (OEA) me titull "Përmirësimi i programeve OEA në Rajon - Përqafimi i kulturës së të dhënave digjitale për përmirësime të vazhdueshme, transparencë të përmirësuar, partneritet dhe reziliencë më të fortë", zhvilluar në Beograd në datat 3-4 Nëntor 2022.
Në fjalën e tij, Genti Gazheli, Drejtor i Përgjithshëm i Administratës Doganore të Shqipërisë kujtoi se në përparimin e madh që doganat kanë bërë në fushën e OEA-ve, Ekipi i Validimit të CEFTA-s, nën mbikëqyrjen e Drejtorisë së Përgjithshme TAXUD, në përfundim të një mision vlerësimi disaditor në Tiranë, konkludoi se Programi i Doganave Shqiptare për Operatorët Ekonomikë të Autorizuar për sa i përket mbrojtjes dhe sigurisë (AEOS), ka përmbushur standardet e Protokollit Shtesë 5 CEFTA, duke marrë një opinion pozitiv.
Tanja Bošković, menaxhere e projektit në GIZ, e cila deklaroi se ky event është i rëndësishëm për të përgëzuar arritjet dhe fitoret, por edhe për të diskutuar rreth sfidave me të cilat mund të përballemi kur drejtojmë Programe për Operatorë Ekonomikë të Autorizuar (OEA), si dhe për të eksploruar së bashku mundësitë që na shpërfaqen nëse duam të çojmë lehtësimin e tregtisë në rajon në nivele të reja.
SH.T.Z. Emanuele Giaufret, Ambasadori i Bashkimit Evropian në Serbi theksoi se integrimi rajonal ekonomik është element themelor në garantimin e një të ardhme të begatë për rajonin e Ballkanit Perëndimor si dhe element jetik në Bashkimin Evropian. "Kjo do të ndihmojë rajonin në shumë drejtime, përfshirë në nxitjen e rritjes ekonomike, përthithjen e investimeve, përmirësimin e arsimit dhe mundësive të punësimit”, tha z. Giaufret.
SH.S.Znj. Anke Konrad, Ambasadorja Gjermane në Serbi, theksoi se takimi i ardhshëm në Berlin tregon angazhimin për mbështetjen ndaj integrimit të rajonit si dhe hapave përpara në drejtim të Bashkimit Evropian (BE). “Zbatimi i Programeve të Operatorëve Ekonomikë të Autorizuar (OEA) është themelor për zbatimin e prioriteteve të integrimit ekonomik rajonal i cili sjell ekonomitë e vendeve CEFTA në Tregun e Vetëm Evropian”, deklaroi znj. Konrad.
“Është prioriteti ynë që çdo OEA të ketë më pak kontrolle, duke shmangur dorëzimin e dokumentacioneve dhe të verifikimeve të dyfishta pasi janë më shumë se 200 shoqëri që përfitojnë nga statusi i OEA-ve dhe mbulojnë vëllim të konsiderueshëm tregtar në Ballkanin Perëndimor”, theksoi z. Gazheli.
Integrimi ekonomik rajonal i vendeve palë të CEFTA-s është thelbësor për të ndërtuar ekonomi të shëndetshme të cilat inkurajojnë tregtinë, konkurrencën dhe investimet dhe përgatisin bizneset dhe qytetarët e Rajonit për anëtarësim në Bashkimin Evropian (BE). Krijimi dhe njohja e ndërsjellë e Programit të Operatorëve Ekonomik të Autorizuar (OEA), si programi i parë i bazuar në marrëdhënie besimi dhe njohje të ndërsjellë me rëndësi në përmbushjen e standardeve të BE-së, ka vlerë të madhe strategjike për ekonomitë e CEFTA-s.
Sipas vlerësimeve që rezultuan nga konferenca e Shoqatës Rajonale të OEA-ve në Beograd, ku u mblodhën përfaqësues nga Autoritetet Doganore dhe bizneset të cilat operojnë në Ballkanin Perëndimor dhe brenda CEFTA-s, ky program përfaqëson një inkurajim të madh për integrim Rajonal dhe në BE. Konferenca është pjesë e një dialogu të rregullt mbi perspektivën e mëtejshme të Programit të Operatorëve Ekonomikë të Autorizuar (OEA) dhe të ndikimit që programi ka në prosperitetin e ekonomive të Ballkanit Perëndimor dhe CEFTA-s.
Gjatë konferencës dyditore, përfaqësues të nivelit të lartë të Doganave nga Rajoni, shoqëri që kanë marrë statusin prestigjioz OEA, si dhe përfaqësues të Shoqatës së themeluar rishtazi në nivel Rajonal për OEA do të trajtojnë shumë tematika që lidhen me përmirësimin e bashkëpunimi ndërmjet administratave në Rajon dhe shoqërive me qëllim përmirësimin e kushteve për tregtinë në CEFTA. Gjithashtu, pjesëmarrësit do të kenë mundësinë për herë të parë të njihen me përvojat e Doganave Evropiane dhe botërore si dhe të shoqatave të OEA-ve (Brazil, Peru, SHBA).
Konferenca e Shoqatës Rajonale të OEA-ve u mbështet nga Deutsche Gesellschaft für Internationale Zusammenarbeit (GIZ), e cila në emër të Bashkimit Evropian (BE) dhe Ministrisë Federale Gjermane për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (BMZ) zbaton projektin " Mbështetje për Integrimin Ekonomik Rajonal”.