Biznes > Përllogaritje detyrimesh doganore > Rregullat e Origjinës
Marrëveshja e Stabilizim Asociimit ndërmjet Komunitetit Evropian e Shteteve të tij anëtare dhe Republikës së Shqipërisë.
Me qëllim që të vihej në zbatim sa më shpejt kjo marrëveshje në lidhje me tregtinë dhe bashkëpunimin tregtar, nga data 1 Dhjetor 2006 filloi të zbatohej Marrëveshja e Përkohshme mbi Tregtinë dhe bashkëpunimin tregtar ndërmjet Komunitetit Evropian dhe Republikës së Shqipërisë Ligji Nr 9591 datë 27.07.2006.
Produktet industriale me origjinë shqiptare drejt vendeve të BE-së përfitojnë tarifa doganore preferenciale 0%. Ndërsa produktet bujqësore palët i kanë akorduar reciprokisht njëra tjetrës tarifa preferenciale dhe kuota tarifore. Shih Kapitullin II “Bujqësia dhe peshkimi”, Nenin 27 “Produkte bujqësore”, Nenin 28 “Produktet e peshkimit” dhe Protokollin 2 “Për tregtinë ndërmjet Shqipërisë dhe Komunitetit në sektorin e produkteve bujqësore të përpunuara” të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit.
Marrëveshja me vendet anëtare të CEFTA 2006
Marrëveshja për amendimin dhe zgjerimin e Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë të Europës Qendrore (CEFTA) u nënshkrua në Bukuresht më 19 Dhjetor 2006 dhe filloi të zbatohet gjatë vitit 2007. Vendet që e zbatojnë ndërmjet tyre këtë marrëveshje janë Shqipëria, Mali i Zi, Kosova, Serbia, Bosnje-Hercegovina, Maqedonia dhe Moldavia. Me fillimin e zbatimit të kësaj marrëveshjeje u liberalizuan plotësisht vetëm pas vitit 2014 kur të gjitha vendet pjesëmarrëse zbatuan Protokollin II shtese të kësaj marrëveshjeje.
Marrëveshja e Tregtisë së Lirë me Turqinë
Marrëveshja e Tregtisë së Lirë ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Turqisë ka hyrë në fuqi në Maj të vitit 2008.
Eksportet e produkteve industriale me origjinë shqiptare dhe turke janë të liberalizuara.
Lidhur me produktet bujqësore palët i kanë akorduar reciprokisht njëra tjetrës tarifa preferenciale dhe kuota tarifore. Lista e produkteve gjendet në Protokolli I të kësaj marrëveshjeje. Aneksi I i këtij protokolli përmban listën e produkteve agrare origjinuese në Turqi dhe Aneksi II përmban listën e produkteve agrare origjinuese në Shqipëri.
Të gjitha produktet e tjera agrare që nuk ndodhen në këto Anekse do të eksportohen dhe importohen duke ju nënshtruar tarifave doganore përkatëse .
Marrëveshja e Tregtisë së Lirë me vendet anëtare të EFTA-s
Marrëveshja e Tregtisë së Lirë ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Shteteve EFTA dhe marrëveshjet për bujqësinë ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Konfederatës së Zvicrës e Principatës së Lihtenshtejnit, Republikës së Shqipërisë dhe Mbretërisë së Norvegjisë dhe Republikës së Shqipërisë e Republikës së Islandës, kanë hyrë në fuqi gjatë viteve 2010 -2011.
Tarifat doganore mbi produktet industriale, peshqit dhe produktet e tjera detare, nga hyrja në fuqi e Marrëveshjes janë hequr.
Marrëveshja gjithashtu parashikon konçesione tarifore për produktet bujqësore të përpunuara (Protokolli A). Tregtia për produktet bujqësore bazë është e mbuluar nga tre marrëveshje dypalëshe ndërmjet vendeve të EFTA-s dhe Shqipërisë. Këto marrëveshje parashikojnë koncesione në të dy palët.
Marrëveshja e Partneritetit, Tregtisë dhe Bashkëpunimit ndërmjet Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe dhe Irlandës së Veriut dhe Republikës së Shqipërisë (Ligji Nr:. 31 datë 08 Mars 2021, publikuar në Fletoren Zyrtare nr. 43 datë 18.03.2021) hyn në fuqi më 3 maj 2021
Marrëveshja e Partneritetit, Tregtisë dhe Bashkëpunimit ndërmjet Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe dhe Irlandës së Veriut dhe Republikës së Shqipërisë parashikon të njëjtat kushte prefrenciale në tregtinë ndërmjet palëve, që rrjedhin nga Marrëveshja e Stabilizim Asociimit BE-Shqipëri si dhe siguron një platformë për liberalizim të mëtejshëm të tregtisë ndërmjet palëve.
Produktet agrare origjinuese në vendet palë të marrëveshjes MPTB me kuota tarifore vjetore, përfitojnë tarifë preferenciale 0% brenda sasisë përkatëse të kuotës bazuar në MSA por të riformatuar në masën 13.62%.
Kjo marrëveshje parashikon që produktet agrare të kapitulli 7 “Zarzavatet e ngrënshme, rrënjët dhe tuberat përkatës” dhe ato të kapitulli 8 “Frutat dhe arrat e ngrënshme; lëkurat e agrumeve apo të pjeprave” origjinuese në Shqipëri, gjatë importit në Mbretërinë e Bashkuar përjashtohen nga tarifat doganore dhe nga tarifat specifike që kanë afekt të ngjashëm.