Biznes > Përllogaritje detyrimesh doganore > Rregullat e Origjinës
Rregullat e origjinës jo-preferenciale përdoren për të përcaktuar vendin e origjinës së mallrave për aplikimin e trajtimit të kombit më të favorizuar (MFN), por edhe për zbatimin e një numri të masave të politikës tregtare, siç janë detyrimet antidumping dhe kundërbalancuese, embargot tregtare, masat mbrojtëse dhe kufizimet sasiore apo kuotat tarifore. Ato përdoren gjithashtu për statistikat e tregtisë, tenderat publik dhe shënimin e origjinës.
Shqipëria zbaton rregullat e origjinës jo-preferenciale, të cilat parashikohen në KD (nenet 59-62) dhe DZ të tij (nenet 98-107).
Aspekte të përgjithshme të origjinës jo-preferenciale
Ekzistojnë dy koncepte themelore për të përcaktuar origjinën e mallrave, mallra tërësisht të përftuara dhe mallra të cilët kanë pësuar një transformim të fundit thelbësor. Nëse në prodhimin e një malli është përfshirë vetëm një vend, zbatohet koncepti tërësisht i përftuar. Nëse dy ose më shumë vende janë përfshirë në prodhimin e mallrave, origjina e mallrave përcaktohet bazuar në konceptin e transformimit të fundit, thelbësor.
Përcaktimi i origjinës jo-preferenciale
Produkte tërësisht të përftuara në një vend të vetëm
Kur vetëm një vend është i përfshirë në prodhimin e një produkti, zbatohet neni 60 (1) i KD. Ky nen parashikon se “mallrat tërësisht të përftuara” në një vend ose territor të vetëm konsiderohen të kenë origjinën e atij vendi ose territori. Neni 98 i DZ të KD specifikon nocionin e "mallra tërësisht të përftuara në një vend". Ai rendit mallrat që konsiderohen si të përftuara tërësisht në një vend ose territor të vetëm.
Dy ose më shumë vende janë të përfshira në prodhimin e produktit
Kur dy ose më shumë vende janë të përfshira në prodhimin e produktit, zbatohet neni 60 (2) KD. Ky nen parashikon që "mallrat, prodhimi i të cilave përfshin më shumë se një vend ose territory”, konsiderohen origjinuese në vendin ose territorin ku kanë pësuar ndryshimin ose përpunimin e tyre të fundit (transformimin), thelbësor e të justifikuar ekonomikisht, në një ndërmarrje të pajisur për këtë qëllim e që rezulton në prodhimin e një produkti të ri ose që përfaqëson një fazë të rëndësishme të prodhimit.
Duhet bërë një dallim midis mallrave që janë përfshirë në Aneksin 22-01, të shtojcës A të DZ të KD dhe mallrave që nuk janë përfshirë aty.
Sidoqoftë, disa dispozita zbatohen për të gjitha produktet, pavarësisht nëse përfshihen ose jo në Aneksin 22-01, të shtojcës A të Dispozitave Zbatuese të Kodit Doganor të Republikes së Shqipërisë. :
- Disa operacione nuk i japin origjinë jo-preferenciale një produkti, edhe kur rregulli është përmbushur. Këto njihen si operacione minimale (neni 101 i DZ të KD).
- Kur qëllimi i operacionit të kryer është për të shmangur zbatimin e masave të tjera nga masat tarifore, ai operacion konsiderohet se nuk është i justifikuar ekonomikisht. Në rrethana të tilla, vendi i origjinës përcaktohet me zbatimin e "rregullave të mbetura" (neni 100 i DZ të KD).
Deklarimi i origjinës dhe Certifikata e origjinës jo-preferenciale
Origjina jo preferenciale e mallrave është një element i detyrueshëm i deklaratës për hedhjen në qarkullim të lire të mallrave. Deklaruesi është përgjegjës për përcaktimin e saktë të origjinës së mallrave të deklaruara për hedhje në qarkullim të lirë në Shqipëri.
Prova e origjinës është një evidencë dokumentare që mbështet deklarimin e origjinës.
Certifikatat e origjinës jo-preferenciale në Republikën e Shqipërisë
Bazuar në nenin 107 të DZ të KD, Certifikatat e origjinës jo-preferenciale lëshohen nga Dhomat e Tregtisë dhe të Industrisë, mbi bazën e një kërkese me shkrim nga personi i interesuar, me kusht që origjina e produkteve të jetë përcaktuar në përputhje me nenin 60, të Kodit Doganor. Certifikata e origjinës jo-preferenciale lëshohet duke përdorur formularin e paraqitur dhe në përputhje me specifikimet teknike të përcaktuara në Aneksin 22- 09, të Shtojcës B të DZ të KD. Kur e justifikojnë rrethanat, veçanërisht kur i interesuari ka aktivitet të rregullt eksporti, Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë mund të vendosë të mos kërkojë paraqitjen e një kërkese për çdo operacion eksporti, me kusht që të respektohen dispozitat në fuqi për sa i përket origjinës.