Biznes > Përllogaritje detyrimesh doganore > Rregullat e Origjinës
Rregullat e origjinës bazuar në Konventën pan-Euro-Mediteriane 1 janar - 31 dhjetor 2025
Konventa Rajonale e Rishikuar për rregullat preferenciale pan-Euro-Mesdhetare (Ligji 59/2024) hyri në fuqi më 1 janar 2025. Konventa e Rishikuar duhej të zëvendësonte plotësisht rregullat e mëparshme në këtë datë.
Por jo të gjitha shtetet partnere në Konventë i kishin ratifikuar rregullat e reja të origjinës deri më 31 dhjetor 2024, prandaj më 12 dhjetor 2024, Komiteti i Përbashkët i Konventës PEM miratoi një Vendim (Vendimi 2/2024) në lidhje me zbatimin e Dispozitave Kalimtare, të zbatueshme që nga 1 janari 2025.
Qëllimi kryesor i Dispozitave Kalimtare është ruajtja e rregullave të vitit 2012 të zbatueshme paralelisht me rregullat e vitit 2023 ndërmjet Palëve Kontraktuese për të cilat rregullat e 2023 hyjnë në fuqi.
Nga 1 janar 2025 bazuar në ligjin nr. 4 datë 30.01.2025 “Për ratifikimin e vendimit nr. 2/2024 të Komitetit të Përbashkët të Konventës Rajonale për Rregullat Preferenciale të Origjinës Pan-Euro-Mediteriane të 12 dhjetorit 2024 për ndryshimin e vendimit nr. 1/2023 të Komitetit të Përbashkët, miratuar me ligjin nr. 59/2024, me qëllim përfshirjen e Dispozitave Kalimtare në ndryshimet e Konventës Rajonale për Rregullat Preferenciale të Origjinës Pan-Euro-Mediteriane, të zbatueshme nga 1 janari 2025” janë në fuqi dy grupe të ndryshme rregullash të origjinës për tregtinë preferenciale në zonën PEM: Rregullat e origjinës së Konventës (Ligji 1/2012) dhe Rregullat e origjinës së Konventës së rishikuar (Ligji 59/2024). Operatorët ekonomikë kanë mundësinë të zgjedhin midis dy grupeve të zbatueshme të këtyre rregullave, bazuar në zinxhirët e tyre të furnizimit.
Dispozitat Kalimtare sigurojnë gjithashtu parimin e përshkueshmërisë ndërmjet dy grupeve të rregullave të origjinës. Mallrat e konsideruara me origjinë në kuptimin e rregullave të vitit 2012 mund të konsiderohen gjithashtu si origjinuese në kuptimin e rregullave të vitit 2023 për qëllime të kumulimit, me kusht që të plotësohen disa kushte.
Në sektorin e bujqësisë, përshkueshmëria zbatohet vetëm për mallrat e kapitujve 1 dhe 3 të Sistemit të Harmonizuar si dhe për produktet e peshkimit të kapitulli 16 të SH. Gjithashtu përshkueshmëria zbatohet për të gjitha produktet industrial të kapitujve 25-97 të SH.
Për informacion më të detajuar në lidhje me zbatimin e dispozitave kalimtare ju lutemi të konsultoheni me UDHËZIMIN Nr 5 date 31.12.2024-.
Mundësitë e kumulimit në zonën PEM që nga 1 janari 2025 pasqyrohen në njoftimin e Komisionit Evropian në lidhje me zbatimin e Konventës PEM ose protokollet mbi rregullat e origjinës që parashikojnë kumulimin diagonal midis Palëve Kontraktuese të kësaj Konvente (matricë). Ju lutemi të konsultoheni me skemën e kumulimit e cila gjatë vitit 2025 do të jetë në përditësim të vazhdueshëm.
Të gjitha provat e origjinës preferenciale të lëshuara ose të bëra përpara datës 1 janar 2025 do të njihen pas datës 1 janar 2025 brenda afatit të vlefshmërisë së tyre. Mallrat për të cilat prova e origjinës është lëshuar përpara datës 1 janar 2025 në përputhje me rregullat e origjinës të zbatueshme në mënyrë alternative mund të përdoren për kumulim sipas Konventës Rajonale të Rishikuar.
Nga 1 janari 2026, në të gjithë zonën e PEM do të zbatohen vetëm rregullat e Konventës së Rishikuar PEM dhe për rrjedhojë vetëm një grup rregullash origjine. Të gjitha rregullat kalimtare të origjinës (Vendimi 2/2024) nuk do të zbatohen më.
Konventa Pan-Euro-Mediteriane e Rishikuar; Ligji 59/2024
https://www.qbz.gov.al/eli/fz/2024/113/03693d36-d2d4-40f5-a4c1-071c47b727ec