Biznes > Përllogaritje detyrimesh doganore > Vlera Doganore
Vlerësimi doganor është procedura doganore që shërben për të përcaktuar vlerën e mallrave të importuara.
Qëllimi i përcaktimit të Vlerës Doganore
Qëllimi Fiskal: Përcaktimi i vlerës së mallrave të importuara është i nevojshëm dhe thelbësor për përllogaritjen e detyrime doganore “ad valorem”.
Qëllimi Ekonomik: Për të prodhuar të dhëna statistikore import/eksport, në vlerë.
Procedura ligjore e Vlerësimit të Mallrave për Qëllime Doganore, në Republikën e Shqipërisë, është në përputhje të plotë me standardet ndërkombëtare dhe kryesisht me Nenin VII të Marrëveshjes së Përgjithshme mbi Tarifat dhe Tregtinë” (GATT Agreement).
Procedura e Vlerësimit Doganor
Të gjitha mallrat e importuara në territorin doganor të Republikës së Shqipërisë duhet të vlerësohen në përputhje me një nga gjashtë metodat e poshtëshënuara;
1. Vlera e Transaksionit
Vlera doganore e mallrave të importuara është vlera e transaktuar, që është çmimi realisht i paguar ose që duhet paguar për mallrat e shitura për eksport drejt territorit doganor të Republikës së Shqipërisë, duke marrë në konsideratë edhe rregullimet, kur është e nevojshme.
2. Vlera e transaksionit e mallrave identike
Vlera e transaksionit e mallrave identike, të shitura për eksport për në territorin e doganor të Republikës së Shqipërisë dhe të eksportuara në kohën ose afërsisht në të njëjtën kohë me mallrat që po vlerësohen.
3. Vlera e transaksionit e mallrave të ngjashëm
Vlera e transaksionit e mallrave të ngjashme, të shitura për eksport për në territorin doganor të Republikës së Shqipërisë dhe të eksportuara në kohën ose afërsisht në të njëjtën kohë me mallrat që po vlerësohen
4. Metoda e vlerës së deduktuar
Vlera e bazuar në çmimin për njësi, me të cilën mallrat e importuara ose mallrat identike apo të ngjashme, që u korrespondojnë mallrave të importuara, u janë shitur brenda territorit doganor të Republikës së Shqipërisë, në sasinë më të madhe të përgjithshme, personave, të cilët nuk kanë lidhje me shitësit;
5. Metoda e vlerës së përllogaritur
Vlera e llogaritur, e cila është dhe metoda më e vështirë, përcakton vlerën doganore në bazë të kostos së prodhimit të mallrave që vlerësohen, duke shtuar fitim dhe shpenzime të përgjithshme që zakonisht reflektohen në shitjet nga vendi i eksportit në vendin e importimit të mallrave të të njëjtit klasë ose lloji.
6. Dosja e të Dhënave të Disponueshme
Kur vlera doganore e mallrave të importuara nuk mund të përcaktohet në bazë të asnjë prej mënyrave të mësipërme, ajo përcaktohet në bazë të të dhënave të disponueshme në Republikën e Shqipërisë.