Institucioni > Legjislacioni Doganor > Terminologji
Territori doganor përfshin territorin tokësor, ujërat territoriale, ujërat e brendshme dhe hapësirën ajrore të Republikës së Shqipërisë.
1. Zona doganore përfshin atë pjesë të territorit doganor ku veprojnë autoritetet doganore, si dhe të gjitha zonat ku këto autoritete ushtrojnë kontroll ose mbikëqyrje doganore.
2. Zonat doganore vendosen në pikat e kontrollit të kalimit të kufirit, si dhe në pika të tjera të territorit doganor.
3. Krijimi, shtrirja territoriale dhe klasifikimi i zonave doganore të përhershme ose të përkohshme përcaktohen nga Këshilli i Ministrave, me propozim të Ministrit të Financave, sipas kërkesës së motivuar të Drejtorit të Përgjithshëm të Doganave, bazuar në rritjen e numrit të operatorëve ekonomikë që operojnë në atë territor dhe pamundësisë së zonës doganore ekzistuese për kryerjen e procedurave doganore.
4. Vija doganore është bregdeti, brigjet e liqeneve e të lumenjve kufitarë dhe kufijtë tokësorë me shtetet e tjera.
5. Mallrat duhet të kalojnë vijën doganore të kufirit tokësor, ujor dhe në aeroporte vetëm në pikat e kalimit të kufirit shtetëror ku ka zona doganore.
1. Zona doganore e mbikëqyrjes tokësore përbëhet nga territori që përfshin hapësirën nga vija doganore e kufirit tokësor deri në 10 km në brendësi. Përgjatë bregdetit kjo zonë mbikëqyrjeje shkon deri në 5 km nga bregu në brendësi.
2. Zona doganore e mbikëqyrjes ujore përbëhet nga rripi i ujit që shtrihet prej vijës doganore deri në kufirin e jashtëm të ujërave territoriale dhe të ujërave të brendshme.
Përkufizime
1. “Autoritete doganore” është administrata doganore e Republikës së Shqipërisë, përgjegjëse për zbatimin e legjislacionit doganor, dhe çdo autoritet tjetër i ngarkuar me ligj për të zbatuar dispozita të veçanta të legjislacionit doganor.
2. “Legjislacion doganor” është kuadri ligjor, i përbërë nga:
a) konventat dhe marrëveshjet ndërkombëtare të ratifikuara nga Republika e Shqipërisë.
b) Kodi Doganor;
c) legjislacioni për tarifën doganore dhe nomen-klaturën e kombinuar të mallrave, në Republikës së Shqipërisë;
ç) aktet nënligjore në zbatim të këtij Kodi.
3. “Kontrolle doganore” janë veprime të veçanta, të kryera nga autoritetet doganore për të garantuar zbatimin e saktë të legjislacionit doganor dhe çdo legjislacioni tjetër që ka të bëjë me hyrjen, daljen, transitin, lëvizjen, magazinimin dhe përdorimin e veçantë përfundimtar (end-use) të mallrave që lëvizin ndërmjet territorit doganor të Republikës së Shqipërisë dhe territoreve të tjera dhe prezenca e lëvizja brenda territorit doganor të mallrave joshqiptare dhe mallrave që i nënshtrohen procedurës së përdorimit të veçantë përfundimtar (end-use).
4. “Person” është një person fizik, një person juridik, si dhe çdo person tjetër/individ me zotësi të plotë për të vepruar, të njohur si subjekte nga legjislacioni në fuqi.
5. “Operator ekonomik” është personi, i cili, gjatë aktivitetit të tij tregtar, përfshihet në veprime të mbuluara nga legjislacioni doganor.
6. “Përfaqësues doganor” është çdo person i caktuar në përputhje me legjislacionin në fuqi, nga një person tjetër, për të kryer veprimet dhe formalitetet e kërkuara nga legjislacioni doganor në marrëdhëniet e tij me autoritetet doganore.
7. “Risk” është mundësia dhe ndikimi i një ngjarjeje që mund të ndodhë në lidhje me hyrjen, daljen, transitin, lëvizjen, përpunimin ose përdorimin e veçantë përfundimtar (end-use) të mallrave, që lëvizin ndërmjet territorit doganor të Republikës së Shqipërisë dhe vendeve apo territoreve jashtë këtij territori dhe të prezencës së mallrave joshqiptare brenda territorit doganor, të cilat mund të sjellin një nga rezultatet e mëposhtme:
a) pengimin e zbatimit të saktë të masave kombëtare;
b) komprometimin e interesave financiarë të Republikës së Shqipërisë;
c) paraqitjen e një kërcënimi për mbrojtjen dhe sigurinë e Republikës së Shqipërisë dhe banorëve të saj, për qeniet njerëzore, për florën dhe faunën, për mjedisin ose për konsumatorët.
8. “Formalitete doganore” janë të gjitha veprimet që duhet të kryhen nga personat dhe nga autoritetet doganore, me qëllim zbatimin e legjislacionit doganor.
9. “Deklaratë përmbledhëse e hyrjes” është akti, me anë të të cilit një person informon autoritetet doganore, sipas mënyrës dhe formës së parashikuar, brenda një afati kohor të caktuar, që mallrat do të hyjnë në territorin doganor të Republikës së Shqipërisë.
10. “Deklaratë përmbledhëse e daljes” është akti, me anë të të cilit një person informon autoritetet doganore, sipas mënyrës dhe formës së parashikuar, brenda një afati kohor të caktuar, që mallrat do të dalin nga territori doganor i Republikës së Shqipërisë.
11. “Deklaratë e magazinimit të përkohshëm” është akti, me anë të të cilit një person shpreh, sipas mënyrës dhe formës së parashikuar, që mallrat janë në magazinim të përkohshëm.
12. “Deklaratë doganore” është akti, me anë të të cilit një person shpreh, në formën dhe mënyrën e parashikuar, vullnetin për të vendosur mallrat nën një regjim doganor të caktuar, ku të tregohet, nëse është rasti, regjimi specifik për t’u zbatuar.
13. “Deklaratë rieksporti” është akti, me anë të të cilit një person shpreh, në formën dhe mënyrën e parashikuar, vullnetin për të nxjerrë mallrat joshqiptare, me përjashtim të atyre nën një regjim zone të lirë ose magazinimi të përkohshëm, jashtë territorit doganor të Republikës së Shqipërisë.
14. “Njoftim rieksporti” është akti, me anë të të cilit një person shpreh, në formën dhe mënyrën e parashikuar, vullnetin për të nxjerrë mallrat joshqiptare, që janë nën një regjim zone të lirë ose magazinimi të përkohshëm, jashtë territorit doganor të Republikës së Shqipërisë.
15. “Deklarues” është personi që depoziton një deklaratë doganore, deklaratë për magazinim të përkohshëm, një deklaratë përmbledhëse në hyrje, një deklaratë përmbledhëse të daljes, një deklaratë rieksporti ose një njoftim rieksporti në emër të saj/të tij ose personit, në emër të të cilit është bërë një deklarim ose njoftim i tillë.
16. “Regjim doganor” është një nga regjimet e mëposhtme, nën të cilat mallrat vendosen në përputhje me këtë Kod:
a) çlirimi për qarkullim të lirë;
b) regjime të posaçme;
c) eksporti.
17. “Magazinim i përkohshëm” është situata e mallrave joshqiptare të magazinuara përkohësisht nën mbikëqyrjen doganore në periudhën ndërmjet paraqitjes së tyre në doganë dhe vendosjes së tyre në një regjim doganor ose rieksporti.
18. “Borxh doganor” është detyrimi i një personi për të paguar shumën e detyrimit të importit ose shumën e detyrimit të eksportit, të cilat zbatohen për mallra të caktuara, sipas legjislacionit në fuqi në Republikën e Shqipërisë.
19. “Debitor” është çdo person që ka një borxh doganor për të paguar.
20. “Detyrim importi” është detyrimi doganor që duhet paguar në importimin e mallrave.
21. “Detyrim eksporti” është detyrimi doganor që duhet paguar në eksportimin e mallrave.
22. “Status doganor” është statusi i mallrave si mallra shqiptare ose joshqiptare.
23. “Mallra shqiptare” janë mallrat e një prej kategorive të mëposhtme:
a) mallrat tërësisht të përftuara në territorin doganor të Republikës së Shqipërisë dhe që nuk kanë në përbërje mallra të importuara nga vende ose territore të tjera;
b) mallrat që hyjnë në territorin doganor të Republikës së Shqipërisë nga vende ose territore jashtë këtij territori dhe të çliruara për qarkullim të lirë;
c) mallrat e përftuara ose të prodhuara në territorin doganor të Republikës së Shqipërisë vetëm nga mallrat që përmenden në shkronjën “b” ose nga mallrat që përmenden në shkronjat “a” dhe “b”, të kësaj pike.
24. “Mallra joshqiptare” janë të gjitha mallrat e tjera që nuk përmenden në pikën 23, ose ato që kanë humbur statusin e tyre doganor si mallra shqiptare.
25. “Menaxhim i riskut” është identifikimi sistematik i riskut, përfshirë edhe kontrollet e rastësishme dhe zbatimi i të gjitha masave të nevojshme për kufizimin e ekspozimit ndaj riskut.
26. “Çlirim i mallrave” është akti, me anë të të cilit autoritetet doganore i bëjnë mallrat të disponueshme për qëllimet e parashikuara nga regjimet doganore, në të cilat janë vendosur.
27. “Mbikëqyrje doganore” është veprimi i ndërmarrë në përgjithësi nga autoritetet doganore për të siguruar respektimin e legjislacionit doganor dhe, kur është e nevojshme, të dispozitave të tjera të zbatueshme mbi mallrat që i nënshtrohen këtij veprimi.
28. “Rimbursim” është kthimi i një shume detyrimi importi ose eksporti që është paguar.
29. “Falje” është heqja dorë nga detyrimi për të paguar një shumë detyrimi importi apo eksporti që nuk është paguar.
30. “Produkte të përpunuara” janë mallrat e vendosura në një regjim përpunimi dhe që u janë nënshtruar operacioneve përpunuese.
31. “Person i vendosur në territorin doganor të Republikës së Shqipërisë” është:
a) në rastin e një personi (individ), çdo person që ka vendqëndrimin, (vendbanimin) në territorin doganor të Republikës së Shqipërisë;
b) në rastin e një personi fizik ose juridik, i njohur si i tillë nga legjislacioni në fuqi, çdo person që ka selinë, zyrën qendrore, degën apo vendodhjen e përhershme të biznesit, të vendosur në territorin doganor të Republikës së Shqipërisë.
32. “Vendndodhje e përhershme biznesi” është zyra qendrore ose dega e biznesit, ku janë gjithmonë burimet e nevojshme njerëzore dhe ato teknike, nëpërmjet të cilave kryhen pjesërisht ose tërësisht operacionet e një personi që ka marrëdhënie me doganën.
33. “Paraqitje e mallrave në doganë” është njoftimi i autoriteteve doganore për mbërritjen e mallrave në zyrën doganore ose në çdo vend tjetër, të përcaktuar ose të miratuar prej autoriteteve doganore, dhe bërja e disponueshme e këtyre mallrave për kontrolle doganore.
34. “Mbajtës i mallrave” është personi, i cili është pronari i mallrave ose personi, i cili ka të drejta të ngjashme disponimi mbi këto mallra ose që ka zotërim fizik mbi to.
35. “Mbajtës i regjimit” është:
a) personi që depoziton deklaratën doganore ose personi, për llogari të të cilit depozitohet një deklaratë doganore; ose
b) personi, të cilit i janë transferuar të drejtat dhe detyrimet lidhur me një regjim doganor.
36. “Masa të politikës tregtare” janë masat jotarifore të miratuara, si pjesë e politikave tregtare, që rregullojnë tregtinë ndërkombëtare të mallrave.
37. “Operacion përpunimi” është një nga operacionet e mëposhtme:
a) punimi i mallrave, përfshirë montimin ose bashkimin apo përshtatjen e tyre me mallra të tjera;
b) përpunimi i mallrave;
c) shkatërrimi i mallrave;
ç) riparimi i mallrave, përfshirë ndreqjen dhe rregullimin e tyre;
d) përdorimi i mallrave, të cilat nuk gjenden në produktet e përpunuara, por që lejojnë ose lehtësojnë prodhimin e këtyre produkteve edhe sikur ato të jenë përdorur tërësisht ose pjesërisht në proces (aksesorët e prodhimit).
38. “Koeficient i shfrytëzimit” është sasia ose përqindja e produkteve të përpunuara që përftohen nga përpunimi i një sasie të caktuar mallrash, të vendosura nën një regjim përpunimi.
39. “Zyrë doganore” është çdo zyrë, në të cilën mund të kryhen të gjitha ose një pjesë e formaliteteve që parashikon legjislacioni doganor.
40. “Vendim” është çdo akt zyrtar i lëshuar nga autoritetet doganore, në zbatim të legjislacionit doganor, që rregullon një çështje të veçantë dhe ka efekte dhe/ose pasoja ligjore mbi personin ose personat përkatës.
41. “Transportues” është:
a) në kuptim të hyrjes, personi i cili sjell mallrat ose që merr përgjegjësinë për transportin e mallrave në territorin doganor të Republikës së Shqipërisë. Sidoqoftë:
i) në rastin e transportit të kombinuar, “transportues” është personi që operon mjetet e transportit, të cilat, mbasi kanë hyrë në territorin doganor të Republikës së Shqipërisë, lëvizin vetë si një mjet aktiv transporti;
ii) në rastin e transportit ajror apo detar me një mjet të përbashkët transporti apo të një marrëveshjeje kontraktuale, “transportues” është personi, i cili lidh një kontratë dhe lëshon një dokument transporti detar ose ajror (bill of lading ose air waybill) për transportin konkret të mallrave në territorin doganor të Republikës së Shqipërisë;
b) në kuptim të daljes, personi, i cili nxjerr mallrat ose që merr përgjegjësinë për transportin e mallrave jashtë territorit doganor të Republikës së Shqipërisë. Sidoqoftë:
i) në rastin e transportit të kombinuar, kur mjeti aktiv i transportit që lë territorin doganor të Republikës së Shqipërisë është vetëm duke transportuar një mjet tjetër transporti, i cili, mbas mbërritjes së mjetit aktiv të transportit në destinacion, do të lëvizë vetë si një mjet aktiv transporti, “transportues” është personi që do të operojë mjetin e transportit që do të lëvizë vetë sapo mjeti i transportit, që lë territorin doganor të Republikës së Shqipërisë, ka arritur në destinacionin e tij;
ii) në rastin e transportit ajror apo detar me një mjet të përbashkët transporti apo të një marrëveshjeje kontraktuale, “transportues” është personi, i cili lidh një kontratë dhe lëshon një dokument transporti detar ose ajror (bill of lading ose air waybill) për transportin konkret të mallrave që dalin nga territori doganor i Republikës së Shqipërisë.
42. “Komision blerjeje” është një tarifë e paguar nga një importues te një agjent për ta përfaqësuar atë në porositjen e mallrave që vlerësohen.
43. “Garancia globale” është garancia që mbulon shumën e detyrimit të importit ose eksportit që i korrespondon borxhit doganor, në lidhje me dy ose më shumë operacione, deklarata dhe regjime doganore.