Biznes > Procedurat Doganore > Regjimi i Magazinimit doganor
Regjimi i magazinimit doganor lejon ruajtjen në një magazinë doganore: të mallrave jo shqiptare, pa iu nënshtruar detyrimeve të importit ose masave të politikës tregtare; dhe të mallrave shqiptare, kur dispozitat në fuqi që rregullojnë fusha të veçanta, parashikojnë që vendosja e tyre në magazinat doganore kërkon zbatimin e masave që normalisht lidhen me eksportin e këtyre mallrave.
Përdorimi i këtij regjimi mundësohet nëpërmjet lëshimit të autorizimit përkatës nga autoriteti doganor kur plotësohen kushtet e mëposhtme:
a) për personat që ofrojnë të gjitha garancitë e nevojshme për kryerjen si duhet te operacioneve;
b) kur autoritetet doganore mund të mbikëqyrin e kontrollojnë regjimin.
Lista e dokumentave për aplikimin në pajisjen me autorizim:
1. Aplikimi për të përfituar regjimin e magazinimit doganor bëhet pranë degës doganore mbikqyrëse dhe duhet të përmbajë:
2. Kërkesën tip sipas aneksit aneksit 8, Shtojca C të VKM nr. 651, datë 10.11.2017.
3. Dëshmi penaliteti, vërtetim së nuk ka ndjekje penale, të administratorit apo drejtorit të përgjithshëm, vërtetim së shoqëria nuk është në proces likuidimi.
4. Planimetri të ambienteve të planifikuara për regjimin e magazinimit doganor të shoqëruara me foto për çdo plan si brenda ashtu edhe jashtë.
5. Aktin e kalibrimit të kontenierëve (depozita, sillosa, etj) në rastet kur do të depozitohen lëngje apo materiale rifuxho.
6. Aktin e pronësisë së këtyre ambienteve ose kontratën e qiramarrjes (me një afat që përputhet minimalisht me planifikimin ekonomik të shoqërisë).
7. Një raport ekonomik minimalisht 2 vjeçar qe tregon nevojën ekonomike të shoqërisë për përdorimin e regjimit të magazinimit doganor. ( sipas modelit të aneksit 2)
8. Një opinion nga dega e tatimeve ku është e regjistruar shoqëria në lidhje me aktivitetin e saj ekonomik.
9. Për qëllime mbikëqyrjeje dhe kontrolli, autoritetet doganore i kërkojnë administratorit të magazines të instalojë/të vendosë sisteme mbikë qyrëse me video-kamera. Administratori i magazines në këto raste siguron transmetimin dhe ruajtjen e pacenuar të imazheve të regjistruara nga sistemet mbikëqyrëse me video-kamera brenda afateve të përcaktuara nga autoritetet doganore.
Dokumentacioni i mësipërm dorëzohet në degën doganore e cila do të mbikqyrë këtë rregjim.
Sqarim: Aplikimi për të përfituar regjimin e magazinimit doganor bëhet pranë degës doganore mbikqyrëse.
Autorizimi për regjimin doganor i lëshuar nga autoritetet doganore kompetente përcakton kushtet në të cilat zbatohet regjimi përkatës. Mbajtësi i autorizimit duhet të njoftojë autoritetet doganore për të gjithë faktorët që lindin pas dhënies së autorizimit dhe që mund të ndikojnë në vazhdimësinë ose në përmbajtjen e tij.
BAZA LIGJORE
Ligji 102/2014, datë 31.07.2014 “Kodi Doganor në Republikën e Shqipërisë”, nenet 191 deri 199, 210 deri 215.
VKM nr. 651, datë 10.11.2017 “Dispozitat Zbatuese të Kodit Doganor”, nenet 631 deri 648.