Biznes > Procedurat Doganore > Regjimi i Lejimit të përkohshëm
Regjimi i lejimit të përkohshëm bën të mundur përdorimin në territorin doganor shqiptar, me përjashtim të plotë ose të pjesshëm nga detyrimet e importit dhe pa iu nënshtruar masave të politikave tregtare, të mallrave jo shqiptare të destinuara për t'u rieksportuar, pa pësuar ndryshime, përveç zhvleftësimit normal për shkak të përdorimit të tyre.
Autorizimi për lejimin e përkohshëm lëshohet në bazë të kërkesës së personit që i përdor mallrat ose që bën të mundur përdorimin e tyre, pa rënë ndesh me kushtëzimet e mëposhtme:
a) vetëm për personat që ofrojnë të gjitha garancitë e nevojshme për kryerjen si duhet të operacioneve;
b) vetëm në rastet kur autoritetet doganore mund të mbikqyrin e kontrollojnë regjimin.
KUJDES!
Autoritetet doganore refuzojnë lëshimin e autorizimit për përdorim të regjimit të lejimit të përkohshëm, në rast se është e pamundur të sigurohet identifikimi i mallrave të importuara, përveç rasteve kur, duke marrë parasysh llojin e mallrave ose natyrën e operacioneve që duhet të kryhen, mungesa e masave të identifikimit nuk sjell si pasojë asnjë formë abuzimi të regjimit në fjalë.
AFATET
Autoritetet doganore përcaktojnë afatin brenda të cilit mallrat e importit duhet të rieksportohen ose t'u caktohet një destinacion i ri doganor. Ky afat duhet te zgjasë për aq kohë sa të arrihet qëllimi për të cilin është lëshuar autorizimi.
Afati gjatë të cilit mallrat mund të qëndrojnë nën regjimin e lejimit të përkohshëm është 12 muaj, me një maksimum shtyrje deri në 10 vjet, me qëllim që të bëhet i mundur përmbushja e qëllimit të autorizimit.
Regjimi i lejimit të përkohshëm me përjashtim të plotë nga detyrimet e importit është një regjim ekonomik që mundëson lehtësimin dhe kryerjen e operacioneve të caktuara, nga subjektet Shqiptare duke përdorur mallrat jo shqiptarë me destinacion rieksportimin e tyre pas realizimit të qëllimit për të cilin ishin autorizuar.
Përdorimi i regjimit të lejimit të përkohshëm me përjashtim të pjesshëm nga detyrimet e importit jepet për mallrat te cilat, ndërsa mbeten në pronësi të një personi të vendosur në një vend të huaj, nuk i plotësojnë te gjitha kushtet e parashikuara për dhënien e regjimit të lejimit të përkohshëm me përjashtim të plotë nga detyrimet e importit. Afatet janë të përcaktuara në VKM nr. 651, datë 10.11.2017.
Baza ligjore:
Ligji 102/2014, datë 31.07.2014 “Kodi Doganor në Republikën e Shqipërisë”, nenet 191 deri 202, 223 deri 226.
VKM nr. 651, datë 10.11.2017 “Dispozitat Zbatuese të Kodit Doganor”, nenet 533 deri 534, 649 deri 685.