Biznes > Procedurat Doganore > Regjimi i Përpunimit Pasiv
Regjimi i përpunimit pasiv lejon që mallrat shqiptare të eksportohen përkohësisht nga territori doganor i Republikës së Shqipërisë, me qëllim që t’u nënshtrohen operacioneve përpunuese dhe produktet që dalin si rezultat i këtyre operacioneve të vendosen në qarkullim të lirë me përjashtim të plotë ose të pjesshëm nga detyrimet e importit.
Eksportimi i përkohshëm i mallrave shqiptare sjell zbatimin e detyrimeve të eksportit, të masave të politikës tregtare dhe të formaliteteve të tjera për daljen e mallrave shqiptare nga territori doganor shqiptar.
Mallrat shqiptare nuk vendosen në regjimin e përpunimit pasiv kur:
a) mallrat, eksporti i të cilave çon në rimbursim ose falje të detyrimit të importit;
b) mallrat, të cilat, para eksportimit, ishin çliruar për qarkullim të lirë me një përjashtim ose reduktim të nivelit të detyrimit për shkak të përdorimit të tyre të veçantë përfundimtar (end-use) dhe nëse qëllimet e përdorimit të veçantë përfundimtar (end-use) nuk janë përmbushur, përveçse kur këto mallra duhet t’u nënshtrohen operacioneve të riparimit;
c) mallra, eksporti i të cilave çon në dhënien e rimbursimeve të eksportit;
d) mallrat, për të cilat, për shkak të eksportimit të tyre, në kuadër të politikës bujqësore, është dhënë një avantazh financiar i ndryshëm nga rimbursimi i parashikuar në shkronjën “c”, të kësaj pike.
Dhënia e Autorizimit:
Autorizimi për të përdorur regjimin e përpunimit pasiv jepet me kërkesë të personit që krijon mundësitë për kryerjen e operacioneve të përpunimit në një vend jashtë territorit shqiptar.
Autorizimi për të përdorur regjimin e përpunimit pasiv për mallra me origjinë shqiptare, mund t'i jepet një personi tjetër, në rast se operacioni i përpunimit konsiston në përfshirjen e këtyre mallrave brenda mallrave të përftuara jashtë territorit doganor shqiptar dhe të importuara si produkte kompensuese, me kusht që përdorimi i regjimit të ndihmojë nxitjen e shitjes së mallrave të eksportit, pa cënuar interesat thelbësore të prodhuesve shqiptare për produkte identike ose të ngjashme me produktet kompensuese të importuara.
Autorizimi jepet vetëm:
a) për persona të vendosur në Republikën e Shqipërisë;
b) kur vlerësohet se është e mundur të verifikohet që produktet kompensuese janë përftuar nga përpunimi i mallrave të eksportuara përkohësisht.
c) kur autorizimi për përdorimin e regjimit të përpunimit pasiv nuk sjell si pasojë cënimin e interesave thelbësore të prodhuesve dhe përpunuesve shqiptarë.
AFATI:
Autoritetet doganore përcaktojnë afatin brenda të cilit produktet kompensuese duhet të ri-importohen në territorin doganor të Republikës së Shqipërisë. Ato mund ta zgjasin këtë afat me kërkesë të mirë arsyetuar nga ana e mbajtësit të autorizimit.
Baza ligjore:
Ligji 102/2014, datë 31.07.2014 “Kodi Doganor në Republikën e Shqipërisë”, nenet 191 deri 202, 232 deri 235.
VKM nr. 651, datë 10.11.2017 “Dispozitat Zbatuese të Kodit Doganor”, nenet 529 deri 532, 691 deri 692.