Biznes > Procedurat Doganore > Regjimi i Përpunimit Aktiv
Çfarë është regjimi i përpunimit aktiv, kuptimi doganor dhe përcaktime të tjera?
Regjimi i përpunimit është një regjim doganori i cili lejon mallrat joshqiptare dhe shqiptare të përdoren në territorin doganor shqiptar, në një ose më shumë operacione përpunimi, të destinuara për t'u rieksportuar nga ky territor doganor në formën e produkteve kompensuese, pa iu nënshtruar :
a) detyrimit të importit;
b) pagesave të tjera, sipas parashikimeve në dispozitat përkatëse në fuqi;
c) masave të politikës tregtare, për aq sa ato nuk ndalojnë hyrjen ose daljen e mallrave në ose nga territori doganor i Republikës së Shqipërisë..
Regjimi i Përpunimit Aktiv ka në thelb eksportimin e punës, teknologjisë dhe faktorëve të tjerë ekonomike që në mënyrë direkte bëjnë transformim të thjeshtë apo përfundimtar në mallra të gatshëm, për t’u përdorur si produkte në operacione të tjera përpunimi, montimi, apo për konsum. Gjithashtu, ky regjim jepet dhe për mallrat e destinuara për t’iu nënshtruar operacioneve që garantojnë përputhjen e tyre me kërkesat teknike për çlirimin e tyre për qarkullim të lirë;
Përdorimi i këtij regjimi doganor ekonomik kushtëzohet nga lëshimi i autorizimit nga autoritetet doganore kompetente.
Dhënia e autorizimit, përcaktohet nga kushtet specifike që e rregullojnë këtë regjim:
a) I jepet personave që janë të vendosur në territorin doganor të Republikës së Shqipërisë;
b) kur personat ofrojnë të gjitha garancitë e nevojshme për kryerjen e operacioneve;
c) kur autoritetet doganore mund të mbikëqyrin e kontrollojnë regjimin.
d) kur në rastet e lindjes së një borxh doganor ose detyrime të tjera për mallra të vendosura nën një regjim të posaçëm, ata japin një garanci në përputhje me nenin 84;
e) autorizimi i lëshohet personave që përdorin mallrat ose marrin përsipër përdorimin e tyre apo personave që kryejnë operacionet e përpunimit mbi mallrat ose marrin përsipër kryerjen e tyre
Procedura për pajisjen me autorizim pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave vijon duke depozituar dokumentacionin e mëposhtëm:
1. Kërkesë bazuar në Aneksin 8, Shtojca C të Dispozitave Zbatuese
2. Kontratë porosie të shoqërisë me firmat e huaja, për përpunimin e mallrave
3. Deklarim të shoqërisë në lidhje më efektet ekonomike që do të sjellë përdorimi i autorizimit.
4. Në rastet kur importohen mallra të cilat për natyrën e tyre apo procesin teknologjik që kryhet, humbasin pjesërisht apo tërësisht, paraqitet karta teknologjike dhe metoda që ndiqet për përcaktimin e koeficientit të shfrytëzimit
5. Në rastet kur parashikohet të ketë një ose disa operatorë, paraqitet marrëveshja apo marrëveshjet mes operatorëve dhe kërkuesit të autorizimit si dhe identiteti fiskal i operatorit, deklaratë e operatorit mbi vendndodhjen e ambientit ku do të kryhet përpunimi dhe disponibiliteti i tij për kontroll në çdo kohë nga organi doganor.
6. Rastet kur, kërkohet që zyrat doganore të hyrjes, mbikëqyrjes dhe mbylljes së regjimit të jenë të ndryshme, një deklarim të shoqërisë për argumentimin e saktë ekonomik.
Baza ligjore:
Ligji 102/2014, datë 31.07.2014 “Kodi Doganor në Republikën e Shqipërisë”, nenet 191 deri 202, 228 deri 231.
VKM nr. 651, datë 10.11.2017 “Dispozitat Zbatuese të Kodit Doganor”, nenet 529 deri 565, 687 deri 690.