Biznes > Përllogaritje detyrimesh doganore > Rregullat e Origjinës
Për të parë nëse një produkt përfiton tarifa preferenciale apo përfiton nga kuotat tarifore, duhet t’i referoheni Marrëveshjeve të Tregtisë së Lirë si më poshtë:
Marrëveshja e Stabilizim Asociimit ndërmjet Komunitetit Europian e Shteteve të tij anëtare dhe Republikës së Shqipërisë.
Kjo Marrëveshje e cila është në fuqi prej 1 Dhjetor 2006, mundëson që produktet industriale të përfitojnë nga të dyja palët tarifa doganore preferenciale 0%.
Ndërsa për produktet bujqësore palët i kanë akorduar reciprokisht njëra tjetrës tarifa preferenciale dhe kuota tarifore.
Për më shumë informacion referohuni: Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, Kapitulli II “Bujqësia dhe peshkimi”, Neni 27 “Produkte bujqësore”, Neni 28 “Produktet e peshkimit” dhe Protokolli 2 “Për tregtinë ndërmjet Shqipërisë dhe Komunitetit në sektorin e produkteve bujqësore të përpunuara”.
Marrëveshja me vendet anëtare të CEFTA 2006
Marrëveshja e Tregtisë së Lirë të Europës Qëndrore (CEFTA) e cila filloi të zbatohet gjatë vitit 2007. Vendet që e zbatojnë ndërmjet tyre këtë marrëveshje janë Shqipëria, Mali i Zi, Kosova, Serbia, Bosnjë-Hercegovina, Maqedonia dhe Moldavia.
Kjo Marrëveshje sot mundëson përfitimin e Tarifave Doganore Preferenciale 0% për të gjitha produktet e Nomenklaturës së Kombinuar të Mallrave.
Marrëveshja e Tregtisë së Lirë me Turqinë
Nëpërmjet kësaj Marrëveshjeje është mundësuar liberalizimi i të gjitha produkteve industriale me origjinë shqiptare dhe turke.
Lidhur me produktet bujqësore palët i kanë akorduar reciprokisht njëra tjetrës tarifa preferenciale dhe kuota tarifore sipas listave të produkteve të përcaktuara në Aneksin I, i cili përmban listën e produkteve agrare origjinuese në Turqi dhe Aneksin II, i cili përmban listën e produkteve agrare origjinuese në Shqipëri.
Shënim:
Të gjitha produktet e tjera agrare që nuk ndodhen në këto Anekse do të eksportohen dhe importohen duke iu nënshtruar tarifave doganore bazë.
Marrëveshja e Tregtisë së Lirë me vendet anëtare të EFTA-s
Marrëveshja ndërmjet Shqipërisë dhe Konfederatës së Zvicrës e Principatës së Lihtenshtejnit, Mbretërisë së Norvegjisë, Islandës mundëson që të gjitha tarifat doganore mbi produktet industriale, duke përfshirë peshqit dhe produktet e tjera detare, të hiqen nga hyrja në fuqi e Marrëveshjes në fjalë.
Marrëveshja gjithashtu parashikon koncesione tarifore për produktet bujqësore të përpunuara (Protokolli A). Tregtia për produktet bujqësore bazë është e mbuluar nga tre marrëveshje dypalëshe ndërmjet vendeve të EFTA-s dhe Shqipërisë. Këto marrëveshje parashikojnë koncesione në të dy palët.